Fjale dhe Muzike nga Toka Shqiptare

Publiku i zgjedhur italjan dhe shqiptar pati rastin të ndiqte të Martën, 27 Prill 2010, mbrëmjen artistike “Fjalë dhe Muzikë nga Toka Shqiptare”, e cila u zhvillua në mjediset e Mood Libri & Caffè, një librari hibride, që konsiderohet një nga vendet më trendy të qytetit të Torinos.
Programi i pasur i mbrëmjes parashikonte leximin e pjesëve të zgjedhura të autoreve shqiptare Anilda Ibrahimi dhe Ornela Vorpsi, veprat e të cilave janë botuar vitet e fundit në italisht nga shtëpia botuese prestigjioze torineze Einaudi.
Pjesët e zgjedhura u lexuan nga Jessica Anzalone, një vajzë e re italo-shqiptare.
Leximet u shoqëruan me muzikë klasike të autorëve Arcangelo Corelli dhe Çesk Zadeja, të ekzekutuar nga artistet Eriola Gripshi (violë) dhe Lizabeta Soppi (violinë).
Gjatë mbrëmjes, për publikun e pranishëm u prezantuan për herë të parë edhe disa prej poezive të pabotuara të shkrimtarit të ri dhe të talentuar torinez me origjinë shqiptare Edvin Kukunja, nga vetë autori.
Në takim e morën fjalën edhe Anna Belpiede, përfaqësuese e Bibliotekave të Qytetit të Torinos, Estela Maggiorotti e organizatës Il Nostro Pianeta dhe Amanda Demneri, përfaqësuese e Shoqatës Kulturore Italo-Shqiptare Vatra të Torinos.
Në fjalën e saj, Anna Belpiede pohoi se integrimi i të rinjve të huaj është një sfidë e madhe për të ardhmen e të gjitha shteteve europiane. “Biblioteka publike,” vijoi ajo, “është një nga institucionet më të rëndësishme të dijes, që mund të shërbejë fare mirë edhe si një vend integrimi mes brezave dhe kulturave”. Vecanarisht nëse zbatohen praktika sociale dhe artistike, si edhe politika ndërkulturore, brenda dhe jashtë bibliotekave, që i shikojnë të rinjtë jo vetëm si objekt, por mbi të gjitha si protagonistë të integrimit të mundshëm.
Veprimtaria, e organizuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra e Torinos, u zhvillua në kuadër të manifestimit INTEGRIMI NUK BIE NGA QIELLI (L’INTEGRAZIONE NON PIOVE DAL CIELO) i propozuar nga Instituti Goethe në Torino, Bibliotekat e Qytetit të Torinos, Bashkia e Torinos, shoqata “Il Nostro Pianeta” dhe partnerë të tjerë. Nisma zhvillohet me mbështetjen e Regione Piemonte në kuadër të Y-our time/Torino 2010 Kryeqyteti Europjan i të Rinjve.