Associazione Culturale Italo-Albanese Vatra

31 Mar

Anilda Ibrahimi ne Torino

 

 

“Shqiptarët janë tashmë një nga bashkësitë e huaja më të integruara në Itali. Ata i japin shoqërisë Italjane të paktën po aq sa marrin prej saj, ndaj nuk duhen konsideruar as më shumë e as më pak se qytetarë me të drejta të plota. Në këtë kontekst duhet konsideruar edhe letërsia ime. Ajo është vlerësuar nga shtëpia botuese Einaudi e më pas nga lexuesit dhe nga kritika, jo sepse është realizuar nga një shkrimtare e huaj, në këtë rast me origjinë Shqiptare, por pasi përmban vlera në vetvete, të pavarura nga kombësia e autores së saj.”   

Kështu u shpreh shkrimtarja Shqiptare Anilda Ibrahimi gjatë takimit me publikun torinez që u zhvillua ditën e Enjte, datë 2 prill 2009, në Torino, në mjediset e bibliotekës Italo Calvino. Ndërhyrjet e saj u mirëpritën dhe u duartrokitën gjatë nga publiku i shumtë i pranishëm në sallë. 

“’Rosso come una sposa’ është romani im i parë” u shpreh autorja. “Atë kam dashur t’ja dedikoj familjarëve të mi, në veçanti grave të familjes sime, duke u përpjekur kështu t’ju kthej atyre të gjithë mirësinë që më kanë dhuruar gjatë fëmijërisë sime.” 

Në takim morën pjesë mbi 150 persona, Shqiptarë dhe Italjanë, ndër të cilët edhe shume eksponentë të institucioneve vendore dhe të botës artistike e intelektuale të Torinos.  

 

Ilda Curti, Asesore e Integrimit në Bashkinë e Torinos, e cila përshëndeti publikun në emër të institucioneve të qytetit, shprehu konsideratën e lartë për krijimtarinë e shkrimtares Shqiptare. Ajo e renditi letërsinë e Anilda Ibrahimit krahas veprave të shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, të cilët po kontribuojnë në transformimin e letërsisë bashkëkohore europjane.

“‘E kuqja si nuse’ e Anildës,” tha ajo “më tërhoqi menjëherë për përdorimin origjinal e të shkathët të gjuhës Italjane, për tramën e tij të veçantë, me në qendër historinë e disa brezave grash Shqiptare, përgjatë një shekulli të historisë së Shqipërisë, si edhe për përdorimin e një gjuhe të ngarkuar me ironie absolute, e cila e bën leximin edhe më të këndshëm”. 

Ndërsa Paolo Messina, drejtor i përgjithshëm i bibliotekave të Torinos, tha se është shumë e rëndësishme që pasuria e origjinës së një individi të mos mbyllet në sirtar, kur ky emigron në një vend tjetër. Ajo duhet të shpaloset në të gjitha trajtat e saj origjinale, theksoi ai, pasi duke ndërtuar marrdhënie me kulturën e vendit pritës, rrënjët e vendit të origjinës mund të japin lule e fryte të mrekullueshme, siç është edhe libri ‘Rosso come una sposa’ i Anilda Ibrahimit.   

Prezantimi i librit u pasurua edhe nga leximi i pjesëve të zgjedhura të romanit, të shoqëruara me muzikë klasike nga Haydn, Mozart dhe Jakova të ekzekutuara nga kuarteti Eklips, i përbërë nga muzikantë të rinj profesionistë Shqiptarë dhe Italjanë (Leonard Simaku dhe Elton Tola, violinë; Eriola Gripshi, violë; Matilda Colliard, violinçel). Emocione të veçanta krijoi tek publiku ekzekutimi i një fragmenti të shkëputur nga akti i katërt i operas së parë Shqiptare, Mrika, të kompozitorit Prenk Jakova.    

Ky event, i propozuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra u realizuar me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Romë, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit si edhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino. 

Projekti “Via Egnatia – Passaggio a Est” 

Prezantimi i librit u bë në kuadër të projektit “Via Egnatia – Passaggio a Est”. I ideuar dhe realizuar nga Shoqata Vatra, projekti parashikon krijimin e seksioneve me libra në gjuhën Shqipe në të katërmbëdhjetë bibliotekat e qytetit të Torinos.

Rreth 110 tituj të autorëve më të mirë të letërsisë dhe publicistikës klasike Shqipe si: Naim Frasheri, Fan Noli, Gjergj Fishta, Faik Konica, Migjeni, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, etj, por edhe të autorëve bashkëkohorë si Kadare, Agolli, Kongoli, Zhiti, Spanjolli, Dones, Hatibi e Ahmeti do të jenë të pranishëm në raftet dhe sallat e leximit të bibliotekave të Torinos. Ky fond, i përbërë nga mbi 1200 libra, është edhe një vetrinat më të mëdha të librit në gjuhën Shqipe jashte territoreve të banuara nga Shqiptarët. 

Anilda Ibrahimi 

Anilda Ibrahimi ka lindur në Vlorë në vitin 1972. Ajo ka frekuentuar Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas, në vitin 1993 është larguar nga Shqipëria për tu vendosur fillimisht në Zvicër dhe pastaj në Itali, ku jeton edhe sot bashkë me familjen.  

Romani i saj i parë, “Rosso come una sposa” është një nga librat më të suksesshëm të botuar në Itali në 2008-ën. E pritur jashtëzakonisht mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika, sprova e shkrimtares Shqiptare, e hedhur në treg nga shtëpia botuese prestigjioze Einaudi është bërë shumë shpejt një best-seller 

Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra 

Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh Shqiptarë dhe Italjanë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë Italjane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë. Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale, Torino është shndërruar këto vitet e fundit në një nga qëndrat më mikpritëse ndaj artit dhe kulturës Shqiptare në Europë. 

Për më shumë të dhëna: 

Benko Gjata

Associazione Culturale Italo-Albanese Vatra

Via Piazzi 12,

10123, Torino

Cel. +39 339 3376951

Fax +39 011 6060412

E-mail vatra@hotmail.it 

Torino, 04.04.2009

Comments are closed.

© 2010 Associazione Culturale Italo-Albanese Vatra | Entries (RSS) and Comments (RSS)

Design by Your Index - Powered By Wordpress