Associazione Culturale Italo-Albanese Vatra

27 Mag

“Baleti i drerit te plagosur” roman nga Vasil Tabaku

BOTIM / ROMAN

 

DRERI I PLAGOSUR I TABAKUT FITON LIRINE

nga Artan Gjata

Romani “Baleti i drerit të plagosur” i  shkrimtarit dhe gazetarit të njohur, Vasil Tabaku, i  botuar dhe shpërndarë aktualisht, është një krijim i  veçantë, që të mbush plot emocion i bazuar mbi një temë dhe personazhe reale tepër ngacmuese të historisë sonë kombëtare.

 

Ngjarjet dhe personazhet e Tabakut, të përzgjedhur me kujdes nga koha reale dhe të veshur artistikisht,  zhvendosen lirshëm sa në Tiranë, aq dhe në Prishtinë,  sa në bjeshkët e Alpeve ku vazhdon të shkruhet Eposi, aq  dhe në Hagë.

 

Autori nëpërmjet personazheve të tij, përcjell me një gjuhë të thjeshtë, por të pastër te lexuesi dëshmi tronditëse, nga ngjarjet që ndodhën 10 vite më parë në Kosovë, ku megjithë genocidin e pashëmbull të ushtarakëve serbë, kosovarët jo vetëm mbijetuan, por arritën të fitonin lirinë, atë liri të ëndëruar dhe të mohuar, por të arritur më në fund me gjak.

 

Tabaku, duke i shpëtuar me mjeshtëri renditjes kronologjike të datave historike, ka arritur të sjellë në dritë një vepër të mbështetur mbi ndjenjat që çlirojnë personazhet e tij, ku të papriturat që kalojnë, herë të këndshme dhe herë të hidhura, të mbajnë me ëndje deri në fund për të përfunduar librin, sapo të kesh lexuar faqet e para.

 

Siç pohon vetë autori, romani është shkruar gjatë 5 viteve 2002-2007, ku akoma janë të freskëta kujtimet për atë ngjarje historike të arritur jo vetëm për Kosovën, por për mbarë shqiptarët.

 

Dëshmimtar i këtyre ngjarjeve, Tabaku, falë edhe eksperiencës së tij mbas 12 librave të shkruara, por mbi të gjitha edhe i përvojës së tij si gazetar, ka derdhur plot pasion në faqet e këtij romani, ndër të parët në llojin e vet për këtë ngjarje, fakte rënqethëse nga genocidi i ushtruar mbi kosovarët, mbi traumat që ata përjetuan, por dhe ëndrën e tyre për të jetuar në liri.


Nga ana tjetër spikat në roman ideja jo vetëm e dënimit të këtyre akteve, por dhe toleranca e kosovarëve për të jetuar mbas fitores së kësaj lirie në një bashkëjetesë miqësore me serbët si dy popuj fqinj. Dhe kjo ide përben një nga boshtet kryesore të romanit, që pasqyrohet nëpërmjet  personazhit kryesor Erës, apo siç quhet ndryshe nga autori, Helena e Prishtinës, e cila megjitëse e trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga paramilitarët serbë, ishte e dashuruar me një të ri serb, dashuri që ju mohua deri në fund.

 

Por mbi këtë tragjedi, ngjarje të tjera, dashuri të reja lindin për t’i dhënë kuptim jetës, për ta pasuruar atë, është një mesazh tjetër i veprës së autorit, tashmë botuar edhe në Prishtinë.

 

Retë tashmë kanë filluar të largohen dhe ne jemi përsëri në lëvizje, shprehet Tabaku në fund të romanit, një intuitë e pagabueshme e artistit, sepse Kosova arrititi të shpallej e pavarur dhe Eposi, që zë një vend të vaçantë në vepër do të vazhdojë nëpërmjet vargjeve vezulluese të këndojë për të.

Comments are closed.

© 2008 Associazione Culturale Italo-Albanese Vatra | Entries (RSS) and Comments (RSS)

Design by Your Index - Powered By Wordpress